FORUMI KULTUROR REAGON NDAJ MOS TRANSPARENCËS SË DUHUR TË NDARJES SË FONDIT PËR PROJEKTET E KULTURËS NË KOSOVË

E hënë, 23 mars 2015

Anëtarët e Forumit Kulturor e kanë pranuar me shqetësimt të madh publikimin e listës së përfituesve të subvencioneve kulturore për vitin 2015. Bazuar në listën e publikuar, ngjarjeve më të rëndësishme të kulturës në Kosovë, Ministria e Kulturës ia ka shkurtuar buxhetet, madje në disa raste edhe drastikisht. Më e rëndësishmja, nuk është dhënë asnjë arsyetim për këtë veprim, e aq më pak për kriteret mbi të cilat është bazuar shqyrtimi i projekteve dhe ndarja e përkrahjes financiare. Forumi Kulturor i Kosovës, i cili mbledh pjesën më të madhe të skenës së pavarur të kulturës në Kosovë edhe më herët ka kërkuar nga Ministria e Kulturës që të rishqyrtojë mënyrën e alokimit të buxhetit për kulturën si dhe ndërtimin e sistemit të meritave në ndarjen e granteve për kulturën e pavarur. Fatkeqësisht MKRS po vazhdon këtë traditë institucionale që fondi për projekte të kulturës të ndahet pa transparencën e duhur dhe duke mos u bërë publik as mënyra dhe as mekanizmat e vlerësimit të propozimeve. 

Në raportin e vitit të kaluar për buxhetin shtetëror të kulturës, Forumi Kulturor kishte ftuar institucionet që t’i rishikojnë këto praktika. Raporti konstatonte se përzgjedhja e indikatorëve të cilët matin numrin e ngjarjeve kulturore në Kosovë për matjen e përformancës së MKRS, politikë kulturore kjo e elaboruar në KASH 2015-2017, ka rezultuar pa efekt në shpërndarjen e atyre pak mjeteve për subvencione në numër të madh të projekteve. 

Përpos politikës së gabuar të shpërndarjes së fondeve për kulturë, raporti kishte alarmuar edhe për mungesën e sistemit të kontrollit dhe përformancësnë dhënien e subvencioneve. Të gjitha këto shqetësime të skenës së pavarur u konfirmuan edhe një herë me rastin e publikimit të listës së përfituesve për vitin 2015.

Forumi Kulturor fton Ministrinë e Kulturës që të ndërpresë këtë praktikë degraduese të ndarjes së buxhetit për skenën e pavarur dhe një herë e përgjithmonë të ndërtojë një sistem vlerësimi të bazuar mbi kritere profesionale dhe dëshmitë meritore të projekteve dhe iniciativave të propozuara. Mënyra e vendimmarrjes së tillë rrezikon seriozisht jetën kulturore në vend që pothuajse kryekëput ofrohet nga organizatat e pavarura kulturore. 

Forumi Kulturor, sikur edhe në të kaluarën, është dhe mbetet i gatshëm që përmes proceseve gjithëpërfshirëse dhe në frymën e bashkëpunimit konstruktiv të krijojë partneritet me Ministrinë për këtë qëllim, sikurse edhe për politikat tjera kulturore në vend. Mbetet te autoritetet që janë të thirrura për zhvillimin e jetës kulturore në vend, në këtë rast Ministria e Kulturës, që të përmbush obligim e saj për konsultim dhe përfshirje të shoqërisë civile në politikëbërje dhe vendimmarrje, obligim ky që përpos standardeve bashkëkohore të qeverisjes së mirë rrjedh edhe nga Strategjia qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile. 


 

Buletini Per te marre buletinin mujor me aktivitetet e Forumit Kulturor regjistrohuni ketu: