FORUMI KULTUROR MBAJTI KONFERENCËN VJETORE "SI TË MENDOJMË KULTURALISHT?"

E enjte, 04 dhjetor 2014

Forumi Kulturor mbajti konferencën vjetore “Si të mendojmë kulturalisht?”. Diskutimet në konferencë u zhvilluan në dy panele, ku u diskutua për modelin kulturor në dy nivelet e qeverisjes në Kosovë dhe nevojën për të rishikuar qasjen e shtetit ndaj kulturës. Kjo konferencë ishte përpjekja e rradhës e Forumit Kulturor për të sjellë kulturën në vemendje të politikave shtetërore, duke sjellë edhe përvoja nga shtetet e rajonit. Përvojat e Sllovenisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë në Prishtinë i sollën aktivistët e njohur kulturor nga këto shtete. Pjesë e paneleve të konferencës ishin Andi Tepelena nga Skena e Pavarur Kulturore e Shqipërisë, Samo Selimovic nga Bunker Institute, Lublanë, Teodor Celakoski, aktivist kulturor nga Zagrebi dhe Violeta Simjanovska nga PAC Multimedia, Shkup. Në konferencë folën edhe Veton Nurkollari (Dokufest), Albert Heta (Stacion CCA), Agron Demi (Instituti GAP), Memli Krasniqi (Ministër i Kulturës) dhe të tjerë. 

Gjatë diskutimeve të konferencës edhe një herë u konstatua se dialogu mes skenës së pavarur dhe autoriteteve publike mbetet i pastrukturuar kur bëhet fjalë për politikat kulturore në Kosovë. Diskutimet nxorrën në pah se kultura vazhdon të trajtohet si barrë nga institucionet shtetëtore, ndërsa ndarja buxhetore për kulturën është më pak se 1 përqind e buxhetit shtetëror të Kosovës. Një ndër përfundimet e konferencës ishte se diskutimi për kulturën duhet të përfshijë të gjitha grupet e shoqërisë për të arritur një konsensus të gjerë shoqëror për një agjendë zhvillimore kulturore në Kosovë. Pas gjithë këtyre viteve të neglizhencës, kultura duhet të kthehet në vemendjen e të gjithëve, duke u shndërruar në njërën nga politikat prioritare zhvillimore të shtetit të Kosovës.

Përvojat e shteteve të rajonit të cilat u ndanë gjatë konferencës e konfirmuan besimin se autoritetet publike e kanë përmirësuar qasjen ndaj kulturës vetëm si rezultat i organizimit dhe presionit të skenës së pavarur dhe akterëve të tjerë të shoqërisë civile. Ndër indikatorët më të rëndësishëm matës për qasjen e autoriteteve publike ndaj kulturës u tha të jenë numrat dhe statistikat. Raporti i Forumit Kulturor mbi kulturën dhe buxhetin ka konfirmuar trende shqetësuese kur bëhet fjalë për ndarjen buxhetore për kulturën, ndërsa në konferencë edhe një herë u konstatua se Kosova mbetet shteti që ndan më së paku buxhet për kulturën në gjithë rajonin.  

Gjendja e kulturës në nivel të komunave të Kosovës nuk është aspak më e mirë se në nivelin qendror. Paneli i dytë i konferencës i trajtoi sfidat e zhvillimit kulturor në komunat e Kosovës, duke u fokusuar në qasjen mëshiruese të komunave ndaj kulturës dhe skenës së pavarur në veçanti. Përvojat e shteteve të rajonit tregojnë se nivelet lokale të qeverisjes janë akterë shumë të rëndësishëm të zhvillimit të përgjithshëm kulturor. Gjatë diskutimeve u konkludua se pa planifikim strategjik për modelin kulturor nuk mund të priten përparime në zhvillimin kulturor në komunat e Kosovës. 

 

Buletini Per te marre buletinin mujor me aktivitetet e Forumit Kulturor regjistrohuni ketu: